E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ata nuk janë më këtu”, protestuesit vendosin këpucë për familjarët që emigruan

Një skenë simbolike ka shoqëruar protestën e 14-të qytetare para Kryeministrisë, ku protestuesit kanë vendosur dhjetëra palë këpucë në shesh, si një mesazh për emigrimin masiv të shqiptarëve gjatë viteve të fundit.

Sipas pjesëmarrësve, çdo palë këpucë përfaqëson një të afërm, mik apo familjar që është larguar nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë jashtë vendit. Me këtë veprim, protestuesit synojnë të tërheqin vëmendjen ndaj fenomenit të shpopullimit dhe largimit të të rinjve.

“Janë këpucët e atyre që nuk janë më këtu. Të atyre që u larguan sepse nuk panë të ardhme në vendin e tyre”, u shprehën disa prej protestuesve gjatë tubimit.

Veprimi simbolik u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa shumë qytetarë vendosën pranë këpucëve edhe mesazhe që lidhen me emigracionin, papunësinë dhe vështirësitë ekonomike.

Protesta para Kryeministrisë vijon me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim, ndërsa organizatorët deklarojnë se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›