E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati në Sarandë për hakmarrje! 58-vjeçari vritet me tritol, i biri i përfshirë në ngjarje kriminale

Një atentat i mirëorganizuar me tritol tronditi qytetin bregdetar të Sarandës mbrëmjen e së shtunës, duke i marrë jetën 58-vjeçarit Isuf Jaçaj. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:30 në lagjen nr. 3, ku makina me të cilën po udhëtonte viktima shpërtheu në mënyrë të fuqishme, duke e lënë të vdekur në vend.

Makina e Jaçajt u hodh në erë teksa ndodhej në qendër të zonës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale edhe në një automjet tjetër pranë dhe disa biznese përreth. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet, ndërsa janë sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në zonë për të identifikuar autorët.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes, duke qenë se i biri i viktimës, 31-vjeçari Klaus Jaçaj, ndodhet aktualisht në burg për ndihmë në arratisjen e autorit të një plagosjeje me armë të ndodhur më 17 korrik në Sarandë.

Në atë ngjarje, Ramadan Zoto alias Canaj qëlloi me armë dy të rinj nga Kamza për shkak të një konflikti për pronat në bregdet. Klaus Jaçaj u kap një javë më pas si personi që ndihmoi autorin të largohej nga vendi i krimit. Por vetëm pak ditë para arrestimit, më 22 korrik, mjeti i Klaus Jaçajt u hodh në erë, gjithashtu me tritol, por ai fatmirësisht nuk ndodhej në makinë.

Të gjitha këto ngjarje të ndërlidhura ngrejnë dyshime të forta se atentati ndaj Isuf Jaçajt mund të ketë qenë një veprim hakmarrës ndaj djalit të tij, që tashmë është i arrestuar.

Hetimet vijojnë me intensitet nga Policia e Sarandës në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa pritet të ketë të tjera zhvillime në orët në vijim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›