E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina përfshihet nga protesta masive

Mijëra vetë kundër masave të qeverisë. Rrihet keq ish-ministri

Policia greke është përplasur dje ashpërsisht me protestuesit në kryeqendrën e vendit, Athinë. Sindikatat kryesore të vendit kanë organizuar një grevë të përgjithshme kundër masave shtrënguese të qeverisë për të reduktuar deficitin buxhetor. Demonstruesit kanë hedhur bomba me vajguri ndaj policisë dhe objekteve të tjera rrotull dhe policët i janë përgjigjur situatës me lëshimin e gazit lotsjellës dhe me akte dhune jashtë godinës së Parlamentit. Një ish-ministër i qeverisë së mëparshme e cila është edhe gatuesja e situatës së rëndë në të cilën ndodhet vendi është rrahur keqas dhe ka kërkuar strehë në një godinë për t’u shpëtuar nga duart sulmuesve. Kjo ditë ka shkaktuar një kaos shumë të madh në transportin publik, në fluturime, si dhe i ka vënë kyçin shkollave në të gjithë vendin. Është greva e shtatë e përgjithshme që organizohet brenda këtij viti nga sindikatat e vendit të cilat janë shumë të fuqishme dhe kanë një numër të madh anëtarësh. Këto janë të gjitha protesta kundër paketës së ndihmës financiare të BE-së dhe FMN prej 100 miliardë eurosh që i është dhënë Greqisë në këmbim të ndërmarrjes nga ana e saj të masave shumë të rrepta të reduktimit të shpenzimeve buxhetore. Sipas burimeve të policisë, bëhet fjalë për 15 mijë vetë që kanë dalë në shesh në mesin e Athinës. Protestuesit kanë ndezur zjarre edhe në hotelet luksoze të Athinës dhe në godinat dhe sheshin jashtë Parlamentit. Situata u përshkallëzua edhe më shumë jashtë Ministrisë së Financave. Dhjetëra policë në motoçikleta ndoqën protestuesit nëpër sheshin që ndodhet përballë Parlamentit dhe përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e inatosura. Sipas autoriteteve, mes protestuesve kishte dhe dhjetëra anarkistë, të cilët u konfrontuan fizikisht me policët. Ata i vendosën zjarrin një makine dhe kazanëve të mbeturinave duke qëlluar madje me bomba molotov kundër dy hoteleve luksoze, duke shkaktuar zjarr në një ballkon të një prej hoteleve. Po sipas policisë, 10 persona janë vënë në pranga. Për sa i përket ish-ministrit të qeverisë së Karamanlisit rreth 200 protestues e ndoqën atë dhe tre prej tyre e sulmuan fizikisht, ndërsa fotot e tij i ka publikuar agjencia e lajmeve “Rojters”. Sipas kësaj të fundit, protestuesit e qëlluan me gurë dhe me shkopinj derisa ai mundi të fshihet në një ndërtesë aty pranë. Disa dëshmitarë thanë se fytyra e tij ishte e mbuluar me gjak, ndërsa policia konfirmoi se Hatzidakis u dërgua në spital.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›