E Martë, 3 Nëntor 2026

Autoriteti i Dosjeve publikon raportin mbi punën e kryer gjatë vitit 2024

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) ka publikur raportin vjetor për vitin 2024, një pasqyrë e thelluar e veprimtarisë institucionale në shërbim të transparencës, edukimit qytetar dhe përballjes me të kaluarën komuniste.

Në raport shkruhet se Autoriteti vijon punën për informimin me transparecë dhe me një strategji të qartë edukuese në inciativa që synojnë të ndriçojnë të vërtetat e fshehura dhe të rikuperojnë dinjitetin e viktimave.

Digjitalizimi dhe deklasifikimi i dokumenteve të AIDSSH-së arriti shifra rekord: 17 303 dosje me 1 096 699 faqe janë përpunuar vetëm në vitin 2024. Në total, janë 23 663 njësi arkivore të aksesueshme për studiuesit dhe qytetarët.

Llogaritet se, nga 3701 kërkesa individuale të mbërritura që nga themelimi, 96% e tyre janë trajtuar dhe mbyllur. 263 kandidatë janë verifikuar për pastërtinë e figurës, prej të cilëve 25 rezultojnë të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit.

Gjithashtu Autoriteti ka një rritje të pranisë publike me 44 njoftime për shtyp dhe mbi 500 postime në rrjetet sociale.

Sa i përket zbardhjes së zhdukjeve gjatë diktaturës, në vitin 2024 u identifikuan 6 vendvarrime të reja të personave të zhdukur, duke e çuar numrin total në 11 vendvarrime për periudhën 2022–2024. Në total, janë trajtuar 280 kërkesa nga familjarët dhe janë grumbulluar dëshmi të reja.

Përveç arritjeve, AIDSSH ka renditur edhe disa mungesa angazhimi siç kanë qenë ato të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë apo bashkive, ku vetëm 26% e tyre kanë zbatuar detyrimin për të kërkuar verifikim para dhënies së titujve nderi apo emërtimeve publike, edhe pse Autoriteti ka komunikuar me të 61 bashkitë në vend.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›