E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autostrada Milot–Mamurras, mjeti shkrumbohet në ecje, shpëton shoferi

Momente paniku janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në autostradën Milot–Mamurras, ku një automjet është përfshirë papritur nga flakët ndërsa ishte në lëvizje.

Drejtuesi i mjetit ka konstatuar tymin dhe flakët që dilnin nga pjesa e motorit dhe ka manovruar për të ndaluar mjetin. Fatmirësisht, ai ka arritur të dalë në kohë nga kabina, duke i shpëtuar rrezikut pa asnjë lëndim fizik.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Kurbinit. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve për të shuar flakët, zjarri ka qenë i përmasave të mëdha, duke e shkrumbuar plotësisht automjetin.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkaqet. Sipas gazetarit të RTSH 24, nga të dhënat e para, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt teknik, konkretisht një shkëndijë në sistemin motorik të mjetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›