E Diel, 1 Nëntor 2026

Avionët rus në Estoni, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë nesër takim urgjent

Ministria e Jashtme e Estonisë ka njoftuar se nesër (e hënë), do të mbahet një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me kërkesë të saj, lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë.

Sipas autoriteteve estoneze dhe NATO-s, tre avionë MiG-31 të Federatës Ruse hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan aty për rreth 12 minuta, ngjarje që ndodhi të premten.

Për t’iu përgjigjur incidentit, Italia (që mban detyrën e patrullimit ajror të Balltikut për NATO-n), si dhe Suedia dhe Finlanda, ngritën në ajër avionë për të ndaluar hyrjen e pajustifikuar.

Ministria e Jashtme e Estonisë theksoi se më 22 shtator, Këshilli i Sigurimit do të diskutojë mbi “shkeljen flagrante të hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia”, që për këtë vend përbën një precedent të paprecedentë në 34 vitet e anëtarësimit në OKB.

Kryeministri estonez paralajmëroi gjithashtu se do t’i kërkojë NATO-s aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili parashikon konsultime mes vendeve anëtare kur një prej tyre ndjen se kërcënohet integriteti i saj territorial, siguria apo pavarësia politike.

Sipas ministrit të Jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna, kjo ngjarje është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për të testuar vendosmërinë e NATO-s dhe të vendeve evropiane.

“Kjo sjellje kërkon një përgjigje ndërkombëtare,” theksoi Tsahkna, duke shtuar se veprimet e Rusisë nuk janë të përputhshme me detyrimet që ka si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›