E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati Beci: Vendimi unifikues për “arrest në burg” rifreskon parimet e 2011

Avokati Eugen Beci e ka konsideruar vendimin e fundit unifikues të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë “arrest në burg” si një rifreskim të ideve të vendimit unifikues të vitit 2011.

Në emisionin “3D”, Beci u shpreh se vendimi nuk sjell risi thelbësore, por forcon dhe saktëson parimet ekzistuese.

“Vendimi unifikues i sotëm nuk është asgjë më tepër sesa një forcim dhe rifreskim i ideve të vendimit unifikues të 2011. Vendimi unifikues është i detyruar për çdo gjykatë, është orientues dhe nuk ka fuqinë e një ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale. Pra është detyrues dhe orientues,” u shpreh avokati.

Sipas tij, gjykata është e detyruar të verifikojë pse masat e tjera të sigurimit nuk janë të përshtatshme dhe pse në një rast konkret zbatohet vetëm masa “arrest në burg”.

“Gjykata duhet të kontrollojë dhe të arsyetojë pse të gjitha masat e tjera nuk janë të përshtatshme dhe pse është e nevojshme vetëm masa ‘arrest në burg’. Të gjitha këto elemente duhet të mbështeten në prova dhe barra e provës është mbi prokurorin, i cili duhet të bindë gjykatën,” tha Beci.

Ai shtoi se çdo vendim gjyqësor duhet të jetë i arsyetuar qartë dhe i bazuar në prova, duke theksuar rolin e gjykatës në kontrollin e masave të sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›