Avokati i Popullit dhe KLGJ, bashkëpunim për rritjen e transparencës dhe aksesit në drejtësi

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Avokati i Popullit, Endrit Shabani zhvilloi sot një takim pune në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, me kryetarin Ilir Rusi. Zyra e shtypit e Avokatit të Popullit njoftoi se takimi ishte në kuadër të angazhimit për një komunikim të hapur të Avokatit të Popullit me institucionet e drejtësisë.
Avokati i Popullit bëri të ditur se takimi u zhvillua në frymën e një dialogu konstruktiv, me fokus kryesor forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve, për të rritur standardet e transparencës në sistemin gjyqësor dhe garantimin e të drejtës për akses në drejtësi.
Shabani ka zhvilluar edhe takime të tjera në kuadër të krijimit të një fronti të përbashkët institucional për përmbushjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të qytetarëve.
Më herët Avokati i Popullit takoi kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, për të harmonizuar agjendat e përbashkëta institucionale në garantim të llogaridhënies së administratës publike dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve.
Endrit Shabani u zgjodh më 18 dhjetor 2025, nga Kuvendi i Shqipërisë, në postin e Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar.
/a.f/r.e/