E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit, hetim administrativ për raportimet e protestuesve për dhunë policore

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Avokati i Popullit bën të ditur se ka monitoruar përgjatë gjithë itinerarit protestën e opozitës të zhvilluar ditën e diel në kryeqytet.

Grupi i punës së institucionit vizitoi spitalet dhe komisariatet për të parë dhe intervistuar protestuesit e ndaluar apo të lënduar.

Nga të dhënat paraprake, Avokati i Poppullit thotë se të paktën 12 persona në moshë madhore janë ndaluar, ndërsa 4 të mitur u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.

Në Spitalin e Traumës, ekipi i Avokatit të Popullit administroi ankesën e një protestuesi që raportoi ushtrim dhune nga ana e policisë, për të cilën ka nisur hetimi përkatës.

Avokati i Popullit bën të ditur se raporti i detajuar do të publikohet në përfundim të hetimit administrativ.

“Ndërsa inkurajohen vetëm tubimet paqësore, i bëjmë thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm, pavarësisht dinamikës së protestës”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

Gjithashtu Avokati i Popullit thekson domosdoshmërinë për transparencë mbi protokollet e përdorura nga policia për përshkallëzimin e forcës dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmave si gazi lotsjellës apo uji. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›