E Martë, 3 Nëntor 2026

Avokati i Popullit prezanton logon zyrtare në 25-vjetorin e krijimit të institucionit

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Në 25-vjetorin e krijimit, Avokati i Popullit ka prezantuar sot logon zyrtare të institucionit.

Sipas një publikimi në rrjetet sociale, thuhet se prej një çerek shekulli, Avokati i Popullit qëndron në krah të qytetarëve, për të mbrojtur të drejtat, dinjitetin dhe barazinë e secilit.

Ndërsa, në këtë 25-vjetor, është prezantuar logoja zyrtare, një “simbol që përmbledh misionin e pandërprerë dhe rrënjët kushtetuese”.

Sipas njoftimit, në këtë logo gërshetohen shifrat e përvjetorit, shqiponja që përfaqëson shtetin dhe qytetarin, si dhe inicialet “AP”, Avokati i Popullit.

“Ky përvjetor është më shumë se një kujtesë. Është një ftesë për të reflektuar: A kemi ndërtuar një kulturë të të drejtave të njeriut në zemër të shoqërisë sonë?”, thuhet në njoftim.

Procesi i parë i zgjedhjes së Avokatit të Popullit u zhvillua nga Parlamenti më 16 shkurt 2000. Kushtetuta kërkon që Avokati i Popullit të zgjidhet me jo më pak se 3/5 të të gjithë deputetëve. Kuvendi i Shqipërisë, këtë detyrë ia besoi për herë të parë Ermir Dobjani, i cili u rizgjodh në shkurt 2005 edhe për një mandat të dytë, deri në 16 shkurt të vitit 2010.

Më datë 22 maj të vitit 2017, Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi si Avokate të Popullit me një shumicë prej 114 votash, Erinda Ballancën.

/e.i/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›