E Martë, 3 Nëntor 2026

Avokatura e Shtetit: Godina e “Fokus Media News” pronë shtetërore me vendim gjykate, i ka përfunduar qiraja prej 3 vitesh

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit mëngjesin e sotëm kërkoi lirimin e godinës së televizionit News24. Aksioni i policisë vjen pasi kontrata e grupit mediatik për godinën që dikur ishte ajo e Uzinës së ish-Autotraktorëve, ka disa vite që ka mbaruar dhe për lirimin e së cilës ka një vendim gjykate.

Avokatura e Shtetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri një kronologji të vendimeve dhe proceseve gjyqësore me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish “Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” që janë mbajtur pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

“Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë”, njoftoi Avokatura e Shtetit.

Më tej Avokatura e Shtetit sqaron se “me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit”.

Avokatura e Shtetit thekson së çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësore dhe më 14 korrik të këtij viti Gjykata e Apelit Administrativ ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit.

“Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas Avokaturës së Shtetit “me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike. Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike”.

Avokatura e Shtetit nënvizon se me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës dhe lirimin e ambienteve që janë mbajtur pas përfundimit të kontratës.

“Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive. Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në zhvillim e sipër, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar në vendimet gjyqësore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas përfundimit të kontratës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Avokatura e Shtetit nënvizon se mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›