E Hënë, 2 Nëntor 2026

Azerbajxhani, partner i rëndësishëm për KOKSH dhe sportin shqiptar

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Azerbajxhani do të jetë një partner i rëndësishëm për Komitetin Olimpik Kombëtar dhe për sportin shqiptar.

Gjatë vizitës së tij në Baku të Azerbajxhanit, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i shoqëruar nga presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Astrit Hasani dhe anëtari i Bordit të KOKSH dhe presidenti i Federatës së Gjimnastikës, Leonard Lulaj, pati në sërë takimesh të rëndësishme me drejtuesit e federatave të Azerbajxhanit.

Ylli u prit në takime të veçanta nga sekretarja e përgjithshme e Federatës së Gjimnastikës, Fatima Shafizada, nga sekretari i përgjithshëm i Mundjes, Nasimi Musayev, si edhe nga zv/presidenti i Federatës së Xhudos, Rashad Rasullu.

Në këto takime të zhvilluara në qendrat sportive kombëtare, është diskutuar për një bashkëpunim më të ngushtë mes federatave respektive, në kualifikimin e trajnerëve, shkëmbime eksperiencash, si edhe mundësinë e kampeve stërvitore për ekipet dhe sportistët shqiptarë në Azerbajxhan.

Brenda këtij viti një delegacion i kryesuar nga ministri i Rinisë dhe Sporteve, Farid Gayibov, zv.presidenti i Komitetit Olimpik, Çingiz Huseynzade, si edhe edhe drejtuesit e federatave të mundjes, peshëngritjes, qitjes, gjimnastikës, boksit, taekwondo-së do të zhvillojnë një vizitë pune në Tiranë, ku do të firmoset edhe memorandumi i bashkëpunimit mes dy Komiteteve Olimpike.

1 nga 20

/gj.m/r.e//a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›