BE kërkon drejtësi të pavarur/ Gonzato: Kusht i panegociueshëm për integrimin

Çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë e SPAK, rrezikon të ç’balancojë kufijtë kushtetues mes pushteteve.
Kështu deklaroi kreu i prokurorisë së posaçme, Altin Dumani gjatë një tryeze për performancën dhe integritetin e SPAK, teksa theksoi se mirëpret kritikat përsa kohë nuk cënojnë punën e institucionit.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të ç’balancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë”, deklaroi Dumani.
Dumani u ndal edhe tek boshllëqet ligjore, të cilat lidhen me përfundimin e mandatit të prokurorëve të SPAK.
“Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me institucionet e tjera. E ndërmora këtë hap duke iu garantuar këtë pavarësi që dmth se prokurorët komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet e tjera, pa u përfshirë drejtuesit i SPAK, përjashtuar në disa momente hetimi. Dokumenti ka nënvizuar se statusi i Prokurorit pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore. Në raportimet periodike që kemi bërë në Kuvend dhe KLP e kemi ngritur këtë shqetësim dhe vlerësoj se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje cilado qoftë ajo”, nënvizoi kreu i SPAK, Altin Dumani.
Puna e SPAK u vlerësua edhe nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.
Ambasadori Silvio Gonzato tha se reforma në drejtësi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë, llogaridhënies dhe ka dhënë edhe një kontribut shumë të madh për ecurinë e mrekullueshme që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë veçanërisht në zbatimin e kësaj reforme. Vazhdojmë të inkurajojmë të gjithë institucionet përkatëse duke përfshirë institucionet e pavarura të drejtësisë të vazhdojnë të punojnë duke pasur këtë synim në mendje”, ka deklaruar ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato.
Reforma në drejtësi, cilësohet, si një nga arritjet me të prekshme të qeverisë ndaj përfaqësuesit e saj thanë se SPAK duhet ti shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit.