E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE mbështet industrinë e drurit me financim deri në 100 mijë euro

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Bashkimi Evropian në Shqipëri ka prezantuar një skemë të re mbështetjeje për kompanitë shqiptare të përpunimit të drurit, me synim nxitjen e investimeve në zgjidhje inovative të ekonomisë qarkulluese.

Përmes skemës Wood2Value, ndërmarrjet e këtij sektori do të kenë mundësi të investojnë në teknologji dhe procese që reduktojnë mbetjet, përmirësojnë përdorimin e burimeve dhe rrisin konkurrueshmërinë.

Zyra e BE-së në Tiranë bëri të ditur se, kompanitë e përzgjedhura mund të përfitojnë bashkëfinancim deri në 50% të kostove të pranueshme të investimit, me një kontribut maksimal prej 100 mijë eurosh për projekt.

Skema, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, synon të promovojë ekonominë qarkulluese në industrinë e përpunimit të drurit dhe përdorimin më efikas të lëndës së parë.

Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian ka hapur thirrjen për aplikime, ndërsa kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë projektet e tyre deri më 14 gusht 2026.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›