E Diel, 1 Nëntor 2026

BE mbështet zonat e mbrojtura: 6.5 mln lekë për ruajtjen e biodiversitetit përgjatë lumit Vjosë

Mbrojtja e bregdetit, lumenjve, pyjeve dhe lagunave është thelbësore për mjedisin, ekonominë dhe për garantimin e një jetese të shëndetshme për qytetarët.

Projekti ‘EU for nature‘ synon garantimin e një menaxhimi më efikas të zonave të mbrojtura dhe një planifikimi më të zgjuar në ndërhyrje që ruajnë natyrën.

Banori i zonës, Fatmir Salihi, u shpreh për mikrofonin e RTSH se, “Jemi të kënaqur dhe të mbillen hektar sa më shumë. Është bërë një punë shumë e mirë për pastrimin e ajrit, mbeturinat nuk po hidhen më dhe çdo gjë është e pastër.”

Vlera e ndërhyrjes është në total 6.5 milionë lekë. Shuma përfshin të gjitha fazat e projektit, mbjelljen e fidanëve, si dhe dy vite shërbime mirëmbajtjeje dhe zëvendësimesh.

Inxhinieri Nexhip Hysolakoj tregoi për mënyrën e përdorur në mbjelljen e pemëve.

“Elementi i parë ishte përzgjedhja e llojeve dhe së dyti është tek mënyra e mbjelljes. Kemi dalë nga ai kuadër i mbjelljes lineare dhe për t’i dhënë kuptim pyllëzimit si një pyll natyror.” tha Nexhip Hysolakoj.

Ermela Toçi nga projekti EU for Rivers foli për rëndësinë dhe vazhdimësinë e projektit.

“Duhet në vazhdimësi të bëhen monitorime dhe vendime të bazohen në kërkime shkencore.”

Iniciativa të tilla rikthejnë edhe njëherë vëmendjen te roli i komuniteteve lokale në mbrojtjen e natyrës, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për afrimin me BE dhe përmbushjen e standardeve të kapitullit 27 të mjedisit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›