BERLIN – Gjermania hedh poshtë komentet për trupa në Ukrainë

BERLIN, 1 shtator /ATSH/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius hodhi sot poshtë me tone të ashpra si të parakohshme komentet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbi planet për dërgimin e trupave evropiane në Ukrainë, duke thënë se ajo nuk ka mandat për të diskutuar këtë çështje, sipas Reuters.
Në deklaratat e publikuara nga gazeta britanike “The Financial Times”, Von der Leyen tha se po hartohen “plane të sakta” për një vendosje trupash shumëkombëshe në Ukrainë.
Pistorius tha sot se besonte se diskutimi publik i temave të tilla përpara se Kievi dhe Moska të uleshin në tryezën e negociatave ishte “krejtësisht i gabuar”.
“Përveç faktit se Bashkimi Evropian nuk ka asnjë juridiksion ose kompetencë kur bëhet fjalë për vendosjen e trupave, pavarësisht se për kë ose për çfarë, do të isha shumë i kujdesshëm për të konfirmuar ose komentuar mbi konsiderata të tilla në çfarëdo mënyre”, u tha ai gazetarëve gjatë një vizite në një prodhues armësh në Troisdorf, një qytet i vogël pranë Këlnit.
Megjithatë, Pistorius aludoi në diskutimet e vazhdueshme rreth “çfarë mund të jetë e mundur, çfarë mund të mos jetë e mundur dhe nën cilat kushte dhe rezerva diçka mund të jetë e imagjinueshme”./ /Ad.Ab./