E Hënë, 2 Nëntor 2026

BERLIN – Merz: Njohja diplomatike e talebanëve nuk është në axhendë

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka hedhur poshtë zërat se qeveria e tij po përgatitet të njohë zyrtarisht talebanët në Afganistan.

“Njohja diplomatike e regjimit taleban nuk është fare në axhendë. Nuk mund të ketë diçka të tillë”, u tha Merz sot gazetarëve në Berlin – në konferencën e tij të parë për shtyp gjatë verës si udhëheqës.

Deklarata e Merz erdhi pas deportimit të afganëve – që kur qeveria e tij e koalicionit mori detyrën.

Ai tha se kishte pasur vetëm të ashtuquajturat “kontakte teknike” që përfshinin emiratin e Gjirit të Katarit për t’u përgatitur për deportimin.

“Negociatat rreth avionit, i cili u nis sot në mëngjes  nga Leipzig me 81 afganë në bord drejt Kabulit – ishin zhvilluar prej shumë javësh nga disa qeveritarë federale”, tha Merz.

Gjermania nuk e njeh qeverinë de facto në Afganistan, por nuk i ka ndërprerë kurrë marrëdhëniet diplomatike me vendin.

“Meqenëse ekzistojnë marrëdhënie diplomatike midis shteteve dhe jo midis qeverive, pati një mundësi për të zhvilluar bisedime dhe koordinimi teknik do të vazhdojë për momentin”, shtoi Merz.

Merz falënderoi shprehimisht Emirin e Katarit për ndihmën e tij në lehtësimin e fluturimit të parë si pjesë e deportimit të afganëve.

Avioni mbante njerëz të dënuar për vepra penale që nuk kanë më status qëndrimi në Gjermani.

“Të gjitha kërkesat për azil ishin refuzuar pa mundësi apelimi të mëtejshëm”, theksoi Merz.

Qeveria gjermane nuk ka marrëdhënie zyrtare me talebanët, të cilët janë të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shpërfilljes së të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grave. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›