BERLIN – Wadenphul : Bashkëpunimin me Estoninë dhe Danimarkën në fushën e sigurisë

BERLIN, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë me Estoninë dhe Danimarkën, në kushtet e veprimeve agresive të Rusisë në rajonin e detit Baltik.
“Siguria e rajonit të Baltikut është edhe siguria jonë në Gjermani”, tha politikani konservator gjatë vizitave të tij të para zyrtare në vendet partnere të BE-së dhe NATO-s, Estoni dhe Danimarkë.
Ai planifikon të takohet me homologun e tij Margus Tsahkna në kryeqytetin estonez, Tallinn, si dhe me presidentin Alar Karis.
Pasdite, janë parashikuar takime në Kopenhagë me ministrin e Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, dhe me ministren për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.
Nga Danimarka, Wadephul do të udhëtojë drejt qytetit francez Toulon, ku nesër do të marrë pjesë në këshillin ministror franko-gjerman.
Ai vlerësoi se Estonia dhe shtetet baltike kishin paralajmëruar herët për rreziqet reale dhe se BE-ja dhe NATO-ja sot përfitojnë nga parashikimi dhe ekspertiza e tyre.
“Ne duam ta thellojmë më tej këtë bashkëpunim”, u shpreh Wadephul.
“Forcimi i mbrojtjes së infrastrukturës kritike në Detin e Veriut dhe Baltik është një tjetër prioritet që Danimarka po shtyn përpara gjatë presidencës së saj në Bashkimin Evropian”, tha ai./ /Ad.Ab./