E Diel, 1 Nëntor 2026

BH – Dodik: Dua një RS të pavarur, 15 vende janë gati ta njohin atë

SARAJEVË, 2 shkurt /ATSH-ANSA/ – Nëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së deklaron se Groenlanda ka të drejtën e vetëvendosjes, atëherë e njëjta gjë vlen edhe për Republikën Serbe, theksoi Milorad Dodik, ish-president i entitetit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës (RS).

Në një intervistë me stacionin televiziv serb të Bosnjës RTRS, Dodik, tani nominalisht udhëheqës i partisë së tij nacionaliste, SNSD, përsëriti se qëllimi i tij kryesor është një Republika Serbe e pavarur.

‘’Ky qëllim nuk është zhdukur dhe unë dua ta arrij atë përmes një procesi politik paqësor, duke përfituar nga momentumi ndërkombëtar që po zhvillohet’’, shton ai.

Sipas tij, “Republika Serbe, sapo të shpallet pavarësia, do të njihet nga 15 vende brenda pak ditësh”.

Dodik u takua sot në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi problemet më të rëndësishme rajonale dhe bashkëpunimin midis Beogradit dhe Banja Lukës.

“Armiqtë e Republikës Srpska janë në Sarajevë dhe midis elitave perëndimore. Do të duhet të vlerësojmë mundësinë për t’u bashkuar, qeveria dhe opozita, dhe të tërhiqemi nga Marrëveshjet e Dejtonit. Kjo duhet të ndodhë në rrugën e vetëvendosjes. Unë ia kushtoj jetën time Serbisë, popullit serb, paqes dhe lirisë”, shton ai.

Dodik u detyrua të jepte dorëheqjen si president i RS gushtin e kaluar, pas një vendimi nga Komisioni Zgjedhor i Bosnjës, i cili e shpalli atë të papërshtatshëm për detyrë pasi u dënua në apel me një vit burg (i cili u fal) dhe një ndalim gjashtëvjeçar nga mbajtja e një posti publik.  /os/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›