E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Mijëra kërcënime ndaj deputetëve, krijohet njësi speciale për ruajtjen e tyre

LONDËR, 3 prill /ATSH-ANSA/ – Britania E Madhe është alarmuar nga numri në rritje i kërcënimeve dhe abuzimeve kundër deputetëve: krimet e raportuara janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2019, duke arritur në gati 1 000 vitin e kaluar.

Në përgjigje, është krijuar një Njësi e re Kombëtare e Policisë për Mbrojtjen e Demokracisë, e ngarkuar me ofrimin e mbështetjes së specializuar për agjencitë ligjzbatuese të vendit të angazhuara në hetime që synojnë deputetët.

Njësia udhëheqet nga komandanti me përvojë Chris Balmer, do të jetë përgjegjëse për luftimin e numrit gjithnjë e në rritje të “krimeve antidemokratike”.

Disa deputetë kanë deklaruar se kërcënimet me vdekje janë bërë të zakonshme dhe shumë prej tyre as nuk raportohen më në polici, veçanërisht duke pasur parasysh lehtësinë me të cilën politikanët mund të kontaktohen përmes mediave sociale ose email-it.

Muajin e kaluar, zëvendëssekretari i Brendshëm Dan Jarvis, numri dy i ministrisë së Brendshme dhe përgjegjës për sigurinë, deklaroi se shkalla e kërcënimeve kundër zyrtarëve të zgjedhur është e pashembullt.

Mbretëria gjithashtu ka një histori të kohëve të fundit të shënuar nga raste të dhunës politike, siç ndodhi me dy deputetët e vrarë vitet e fundit, konservatorin David Amess dhe deputeten laburiste Jo Cox, të vrarë përkatësisht nga një simpatizant xhihadist dhe një ekstremist i krahut të djathtë.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›