E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Rutte: NATO përballet me mjedisin më të rrezikshëm dhe kompleks të sigurisë

LONDËR, 16 shtator /ATSH/- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka paralajmëruar se Aleanca përballet me “mjedisin më të rrezikshëm dhe kompleks të sigurisë” duke u bërë thirrje Britanisë së Madhe dhe vendeve evropiane të rrisin kontributin e tyre në mbrojtjen e përbashkët, sipas “The Guardian”.

Gjatë vizitës në Britani të Madhe, Rutte tha se NATO-ja ka nevojë për “më shumë BM dhe më shumë Evropë” për t’u përballur me pasigurinë e re gjeopolitike.

“Është thelbësore që forcat tuaja të armatosura të vazhdojnë të ofrojnë fuqinë ushtarake që i nevojitet NATO-s”, deklaroi Rutte në një fjalim në Ditchley Park, në Oxfordshire.

Sipas tij, vendet evropiane duhet të investojnë më shumë në mbrojtje, në mënyrë që NATO të ketë kapacitetet ushtarake të nevojshme, për të përmbushur detyrimet e saj.

Rutte tha se për një kohë të gjatë në Evropë ekzistonte supozimi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të siguronin gjithmonë pjesën më të madhe të fuqisë ushtarake dhe do të përballonin pjesën kryesore të kostove.

Ai iu referua gjithashtu marrëveshjes së arritur në samitin e NATO-s në Hagë në vitin 2025, ku vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen.

Ai përmendi ndër faktorët që kanë ndryshuar situatën e sigurisë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, terrorizmin, Iranin dhe ndryshimet e mëdha në konkurrencën gjeopolitike globale.

Rutte theksoi se investimet më të mëdha janë të nevojshme sepse, në të kundërt, “mbrojtja jonë kolektive nuk do të jetë e besueshme”.

Sipas tij, Britania e Madhe ka një rol qendror në ndërtimin e një Evrope më të fortë, brenda një NATO-je më të fortë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›