BM – Starmer: Gaza po përballet me ditë të errëta, veprime të mëtejshme kundër Izraelit

LONDËR, 4 qershor /ATSH-DPA/ – Gaza po përballet me ditë të errëta, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer, ndërsa u zotua të shqyrtojë veprime të mëtejshme kundër Izraelit.
Starmer e përshkroi në parlament sjelljen e qeverisë izraelite në rripin 40 kilometra të gjatë si kundërproduktive dhe të patolerueshme.
Ai i bëri komentet e tij pasi një grup i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të, Fondacioni Humanitar i Gazës, ndaloi shpërndarjen e ushqimit në tre vendet e tij të shpërndarjes në Gaza, pasi zyrtarët e shëndetësisë thanë se të paktën 27 palestinezë u vranë në një seri të shtënash këtë javë.
”Veprimi i fundit i Izraelit është i tmerrshëm dhe sipas mendimit tim, kundërproduktiv dhe i patolerueshëm, dhe ne kemi kundërshtuar fuqimisht zgjerimin e operacioneve ushtarake dhe dhunën e kolonëve si dhe bllokimin e ndihmës humanitare”, theksoi Starmer.
Kryeministri shtoi se ”duhet ta dini që kemi pezulluar bisedimet për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë [MTL] dhe kemi sanksionuar ekstremistët që mbështesin dhunën në Bregun Perëndimor”.
”Ne do të vazhdojmë të shqyrtojmë veprime të mëtejshme së bashku me aleatët tanë, duke përfshirë sanksionet, por më lejoni të jem absolutisht i qartë, ne duhet të kthehemi në një armëpushim”, shtoi ai.
“Ne kemi nevojë që pengjet që janë mbajtur për një kohë shumë të gjatë të lirohen dhe kemi nevojë urgjente për më shumë ndihmë, shpejt dhe në sasi të mëdha, në Gaza, sepse është një situatë e tmerrshme dhe e patolerueshme”, tha Starmer./ a.jor.