BM – Starmer dhe Zelensky diskutojnë për luftën kundër korrupsionit

LONDËR, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutuan sot në një bisedë telefonike “rëndësinë” e masave kundër korrupsionit, pas protestave që shpërthyen ndaj një projektligji të diskutueshëm në Ukrainë.
Zelensky tha se i kishte paraqitur kryeministrit britanik planet e tij për të siguruar “pavarësinë dhe efektivitetin e infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë”, pasi qeveria e tij në Kiev u përball me protestat të fuqishme, të parat që nga fillimi i luftës tre vjet më parë.
Presidenti ukrainas njoftoi sot se do të paraqesë një projektligj të ri kundër korrupsionit në parlamentin e vendit.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera këtë javë për të protestuar kundër një projektligji që synon të rrisë mbikëqyrjen ndaj dy agjencive kundër korrupsionit.
Dy liderët gjithashtu diskutuan për sanksionet ndaj të ardhurave nga energjia ruse gjatë bisedës së tyre telefonike, sipas një deklarate nga “Downing Street”.
Në përmbledhjen e bisedës, një zëdhënës tha se të dy liderët “ranë dakord që partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojnë të rrisin presionin ndaj Rusisë”.
“Kryeministri theksoi mbështetjen e palëkundur të Britanisë së Madhe për Ukrainën dhe të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e rolit të institucioneve të pavarura kundër korrupsionit në zemër të demokracisë ukrainase”, tha zëdhënësi.
“Të dy liderët theksuan se presidenti rus Vladimir Putin duhet të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të pranojë një armëpushim pa kushte për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ai.
Zelensky tha se kishin pasur “një bisedë shumë të mirë dhe thelbësore” gjatë telefonatës.
Në një postim në platformën X, ai shkroi se “kishte folur për përgatitjen e një projektligji që synon forcimin e sistemit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë dhe efektivitetit të infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë”.
Zelensky shtoi se kryeministri britanik “sugjeroi përfshirjen e ekspertëve që mund të kontribuojnë në një bashkëpunim afatgjatë.”
Dy liderët janë takuar edhe muajin e kaluar personalisht, kur Zelensky u prit në zyrën e kryeministrit Starmer. /Ad.Ab./