BM – ”The Telegraph”: Zelensky i gatshëm të lëshojë territor në këmbim të paqes

LONDËR, 12 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është gati të zbusë qëndrimin e tij negociues dhe të japë dorëheqjen zyrtarisht për t’i lëshuar territor Rusisë në këmbim të paqes (siç e konsideron të pashmangshme administrata Trump), me kusht që negociatat të përfshijnë garancitë e sigurisë për Kievin të parashikuara në planet e aleatëve evropianë, sipas gazetës britanike ”The Telegraph”, e cila ka qenë gjithmonë pranë shqetësimeve të Ukrainës në lidhje me konfliktin me Moskën.
Sipas burimeve të informuara, të cituara nga korrespondenti i Brukselit i ”The Telegraph”, Zelensky ka bërë propozime të qarta për këtë çështje në bisedat e fundit me udhëheqësit evropianë, në sfondin e shqetësimeve rreth samitit të 15 gushtit midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai u kërkoi aleatëve të tij britanikë dhe të BE-së të refuzojnë çdo zgjidhje të propozuar në mungesë të tij nga samiti dypalësh në Alaska.
Por, në të njëjtën kohë, ai e bëri të qartë se tani ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje që do të hiqte dorë nga kontrolli de facto i territoreve që Moska tashmë i ka pushtuar ushtarakisht në terren, qoftë tërësisht ose në një pjesë të madhe (Krimea plus rajonet e Luganskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit), me kusht që të jetë e lidhur me “planin evropian”.
”Lëshimet mund të kenë të bëjnë vetëm me vijën aktuale të frontit”, konfirmoi një zyrtar i lartë perëndimor i cituar në mënyrë anonime nga gazeta./ a.jor.