BOTËRORI 2026 – Gakpo shënon golin e parë mes dhimbjes, vetëm disa ditë pasi humbi të birin

LONDËR, 30 qershor /ATSH/- Futbollisti i kombëtares së Holandës dhe i Liverpulit, Cody Gakpo, përjetoi një moment shumë prekës në ndeshjen e Kupës së Botës kundër Marokut, shkruan BBC.
Sulmuesi 27-vjeçar, shënoi golin e parë për Holandën, vetëm pak ditë pasi ai dhe partnerja e tij humbën djalin e tyre të palindur.
Gakpo u duk i përlotur pasi realizoi golin në ndeshjen e fazës së 1/16-ave të Kupës së Botës ndaj Marokut.
Holanda kaloi në avantazh falë golit të tij, por sfida përfundoi 1-1, edhe pas kohës shtesë dhe u vendos me goditjet e penalltive, ku Maroku fitoi 3-2 dhe siguroi kualifikimin në fazën çerekfinale.
Partnerja e Gakpo, modelja Noa van der Bij, bëri të ditur lajmin e hidhur të shtunën.
Çifti priste fëmijën e tyre të dytë, i cili ishte parashikuar të lindte në muajin tetor, por foshnja ndërroi jetë gjatë shtatzënisë.
Pavarësisht tragjedisë familjare, Gakpo vendosi të qëndronte me kombëtaren holandeze.
Menjëherë pasi shënoi, Gakpo u ul në gjunjë dhe shokët e skuadrës vrapuan drejt tij, duke e përqafuar dhe mbështetur, në një moment tepër emocional.
Edhe kapiteni i Holandës dhe i Liverpulit, Virgil van Dijk, e përqafoi Gakpo, ndërsa lojtarët po ktheheshin në gjysmën e tyre të fushës, pas festimit të golit.
Gakpo luajti si titullar në të gjitha ndeshjet e Holandës, në këtë Botëror dhe shënoi gjithsej tre gola.
Në sfidën ndaj Marokut, ai u zëvendësua në minutën e 113-të të kohës shtesë, ndaj nuk mori pjesë në serinë e goditjeve të penalltive, që vendosën fituesin.
Maroku barazoi rezultatin në minutat shtesë, të kohës së rregullt me golin e Issa Diop, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë.
Meqenëse as aty nuk pati fitues, kualifikimi u vendos me penallti, ku marokenët triumfuan 3-2. //a.i/