BOTËRORI 2026 – Maroku forcon shpresat afrikane duke mposhtur Holandën me penallti

LONDËR, 30 qershor /ATSH/- Maroku arriti të përmbysë ndeshjen ndaj Holandës në fundin e kohës së rregullt dhe, pas një barazimi dramatik 1-1, fitoi 3-2 me penallti për të kaluar në fazën e 1/16 të Kupës së Botës, shkruan BBC.
Sulmuesi i Liverpulit, Cody Gakpo, i dha epërsinë Holandës, duke shënuar golin e parë, në minutat e fundit të ndeshjes, duke shfrytëzuar një kundërsulm të shpejtë.
Megjithatë, Maroku nuk u dorëzua dhe barazoi në minutat shtesë me një gol me kokë nga Issa Diop, duke e çuar sfidën në kohën shtesë dhe më pas në penallti.
Në gjuajtjet nga pika e bardhë, Holanda gaboi tre herë, ndërsa Ismail Saibari shënoi penalltinë vendimtare që i dha fitoren 3-2 Marokut dhe kualifikimin në fazën tjetër, ku do të përballet me Kanadanë.
Portieri holandez, Bart Verbruggen bëri disa pritje vendimtare gjatë ndeshjes, ndërsa Maroku dominoi pjesën më të madhe të lojës, por u ndal fillimisht nga traversa dhe mungesa e saktësisë në finalizim.
Ndeshja u karakterizua nga një ritëm i lartë dhe duele të forta fizike, ndërsa Maroku tregoi sërish karakter, në një tjetër mbrëmje historike për futbollin afrikan, duke u bërë skuadra e parë nga kontinenti, që kalon në fazën me eliminim direkt në këtë turne.
Në fund, afrikanët u shpërblyen për këmbënguljen dhe lojën e organizuar, duke eliminuar një prej kombëtareve më të forta evropiane dhe duke vazhduar rrugëtimin e tyre në turne. //a.i/