E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – Nagelsmann jep dorëheqjen pas eliminimit të Gjermanisë në Kupën e Botës

BERLIN, 3 korrik /ATSH-DPA/- Trajneri i kombëtares së Gjermanisë, Julian Nagelsmann, pritet të japë dorëheqjen pas eliminimit zhgënjyes të skuadrës në Kupën e Botës.

Sipas raportimeve, vendimi u mor pas një takimi të zhvilluar dje, në Frankfurt me drejtuesit e Federates Gjermane të Futbollit, të cilët i kanë sugjeruar trajnerit të largohet nga posti.

Burime pranë çështjes bëjnë të ditur se, bordi mbikëqyrës i DFB-së është mbledhur sot për të diskutuar situatën e Nagelsmann, si edhe të ardhmen e drejtorit sportiv, Rudi Völler dhe drejtorit menaxhues, Andreas Rettig.

Sipas medieve gjermane, federata preferon që Nagelsmann të japë dorëheqjen, pasi në këtë mënyrë do të shmangte pagesën e plotë të dëmshpërblimit, që do t’i takonte në rast shkarkimi. Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2028.

Gjermania u eliminua në fazën e 1/32-ave të Kupës së Botës, pasi u mposht 4-3 me penallti nga Paraguaji, duke regjistruar eliminimin e tretë radhazi, në fazat e hershme të turneut.

Menjëherë pas ndeshjes, Nagelsmann përjashtoi mundësinë e dorëheqjes, duke deklaruar se “nuk është nga ata që largohen kur gjërat bëhen të vështira”.

Megjithatë, reagimet e forta në Gjermani dhe mënyra se si erdhi eliminimi, duket se kanë ndryshuar qëndrimin e federatës.

Në vitet 2018 dhe 2022, trajnerët Joachim Löw dhe Hansi Flick mbetën fillimisht, në detyrë edhe pas eliminimeve në Kupën e Botës, por këtë herë, DFB-ja duket se ka vendosur të ndryshojë kurs.

Si pasues i mundshëm përmendet Jürgen Klopp, ish-trajneri i Liverpool F.C. dhe Borussia Dortmund.

Megjithatë, Klopp nuk ka shprehur gatishmëri, për të marrë drejtimin e kombëtares.

Ai aktualisht, mban postin e drejtuesit global të futbollit te “Red Bull” dhe ndodhet në Kupën e Botës, në rolin e analistit televiziv.

Ndeshja e ardhshme e Gjermanisë do të jetë më 24 shtator, ndaj Holandes, në nisje të fushatës së Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në grup bëjnë pjesë edhe Greqia dhe Serbia. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›