E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – SHBA-ja kualifikohet në 1/8 e finales, mposht Bosnjë-Hercegovinën 2-0

TIRANË, 2 korrik /ATSH/- Folarin Balogun shënoi golin e parë, por më pas u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa SHBA-ja mposhti Bosnjë-Hercegovinën dhe siguroi kalimin në 1/8 e finales së Kupës së Botës, shkruan BBC.

Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino dominoi ndeshjen, duke luajtur me ritëm të lartë dhe duke krijuar më shumë raste. 

Fitorja u vulos në fund nga Malik Tillman, i cili realizoi me goditje dënimi rezultatin 2-0.

Balogun kaloi SHBA-në në avantazh, pasi përfitoi nga një top i devijuar dhe mposhti portierin Nikola Vasilj. 

Megjithatë, pak pas fillimit të pjesës së dytë ai u përjashtua me karton të kuq, pasi ndërhyri ashpër ndaj Tarik Muharemovic, duke e goditur me taka në pulpë pranë kyçit të këmbës.

Pavarësisht se mbeti me një lojtar më pak, SHBA-ja e ruajti epërsinë pa shumë vështirësi dhe Tillman shënoi golin e dytë, duke shuar çdo shpresë të Bosnjë-Hercegovinës për rikthim.

Në 1/8 e finales, SHBA-ja do të përballet me Belgjikën.

Analiza

Fitorja u shoqërua edhe me një lajm të keq për amerikanët: Balogun do të mungojë në ndeshjen kundër Belgjikës për shkak të kartonit të kuq.

Sulmuesi 24-vjeçar ka shënuar tre gola në tre ndeshje dhe ka qenë lojtari më i rëndësishëm i SHBA-së në këtë Kupë Bote. 

Ai u bë gjithashtu futbollisti i parë që shënon dhe përjashtohet me karton të kuq, në një ndeshje me eliminim direkt të Kupës së Botës,  që nga finalja e vitit 2006, kur kjo i ndodhi Zinedine Zidane.

SHBA-ja pati edhe një gol tjetër të anuluar, për pozicion jashtë loje, kur Christian Pulisic shënoi gol në minutën e 78-të.

Me këtë sukses, amerikanët regjistruan fitoren e tyre të parë, ndaj një kundërshtari evropian pas 11 përballjesh dhe arritën fitoren e parë, në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës që nga viti 2002. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›