E Hënë, 2 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – Trump konfirmon se i ka kërkuar FIFA-s të rishikojë pezullimin e Balogun

TIRANË, 6 korrik /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi sot se i ka kërkuar FIFA-s, të rishikojë pezullimin me një ndeshje të sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, në Kupën e Botës, raportoi BBC.

Trump tha se organi drejtues i futbollit botëror “mori vendimin e duhur” duke pezulluar ndëshkimin e Balogun, duke shtuar se zbatimi i tij do të kishte lënë një “njollë të madhe” në turne.

Balogun, golashënuesi më i mirë i kombëtares së tij në turneun aktual, ishte parashikuar të mungonte në ndeshjen e 1/8-ve kundër Belgjikës në Seattle të martën.

Por, të hënën në mbrëmje, FIFA e shtyu zbatimin e pezullimit me një ndeshje për 12 muaj, duke i hapur rrugën Balogun të luajë kundër Belgjikës.

Duke folur sot në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se i kishte kërkuar FIFA-s të rishikonte vendimin sepse ai “nuk mendonte se ishte faull”.

Trump konfirmoi se kishte folur me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe shtoi se gjithçka që bëri ishte vetëm kërkesa për një rishikim duke theksuar se nuk i kishte thënë zviceranit, se duhej të pezullonte dënimin e Balogun.

“Ata ishin dy sportistë të mëdhenj që u përplasën dhe u ngatërruan mes tyre”, tha Trump.

“Unë mendoj se pezullimi do të kishte lënë një njollë të madhe. Unë nuk mund t’u them çfarë të bëjnë. Nuk besoj se e morën ata vendimin, besoj se e mori komisioni. Dhe ishte vendimi i duhur”, shtoi presidenti amerikan. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›