E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 -Tifozët i drejtohen IA-së për të krijuar himne për ekipet e tyre

NJU JORK, 12 qershor /ATSH-DPA/ – Me nisjen e Kupës së Botës 2026, gjithnjë e më shumë këngë të krijuara nga inteligjenca artificiale po qarkullojnë në internet, ndërsa tifozët përpiqen të mbështesin ekipet e tyre me himne të reja.

Tradicionalisht, tifozët e futbollit njihen për atmosferën e zjarrtë dhe këngët që këndojnë për të motivuar lojtarët në fushë. Por këtë herë, Botërori që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada ka sjellë një valë këngësh të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, shumë prej tyre kushtuar lojtarëve të ndryshëm.

Ndërsa disa tifozë po shfrytëzojnë platformat e IA-së për të krijuar dhe shpërndarë këngët e tyre, të tjerë mbeten skeptikë ndaj këtij trendi të ri, përfshirë edhe futbollistë të përfaqësueses gjermane.

Mbrojtësit gjermanë Jonathan Tah dhe Nico Schlotterbeck shprehën dyshime për muzikën e krijuar nga inteligjenca artificiale. “Më pëlqen kur këngët vijnë nga muzikantë dhe njerëz të vërtetë”, tha Tah para ndeshjes së parë të Gjermanisë në turne.

Schlotterbeck u shpreh se kishte dëgjuar disa prej këtyre këngëve, por kishte mendime të përziera. “Disa janë të mira dhe disa jo aq të mira”, tha ai, duke shtuar se asnjë këngë nuk është shndërruar në himnin jozyrtar të skuadrës gjatë këtij Botërori.

Ky fenomen bie në kontrast me një traditë të hershme të futbollit gjerman, ku lojtarët e kombëtares regjistronin këngë zyrtare para turneve të mëdha. Para Kupës së Botës 1978 në Argjentinë, skuadra regjistroi këngën “Buenos Dias Argentina” së bashku me këngëtarin Udo Jürgens.

Përpara Botërorit 1990, të cilin Gjermania e fitoi, lojtarët interpretuan me Jürgens këngën “Wir sind schon auf dem Brenner”, ndërsa për Botërorin 1994 në SHBA regjistruan “Far Away in America” së bashku me grupin muzikor “Village People”.

Schlotterbeck tha se nuk është ai që zgjedh muzikën në dhomat e zhveshjes së ekipit, por se dëgjon me kënaqësi atë që preferojnë shokët e skuadrës. Ndërkohë, Tah u shpreh me humor se ekipi preferon të përqendrohet te futbolli dhe jo te zhurma që krijohet jashtë fushës. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›