E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE bën thirrje për ndalimin e ekzekutimeve të protestuesve në Iran

BRUKSEL, 16 janar /ATSH/- Bashkimi Evropian i bën thirrje Iranit të ndalojë ekzekutimet e protestuesve dhe dënon përdorimin e dënimit me vdekje si mjet për shtypjen e protestave, tha sot zëdhënësi i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Anouar El Anouni, sipas “Il Sole 24 Ore”.

“Ne kundërshtojmë përdorimin e dënimit me vdekje në çdo kohë dhe në veçanti përdorimin e tij për të shtypur disidentët”, tha El Anouni, gjatë një konference për shtyp në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së theksoi se Brukseli po ndiqte nga afër raportet për ekzekutime të mundshme të afërta të protestuesve.

Brukseli, gjithashtu i bëri thirrje Teheranit të ndiqte një politikë të qëndrueshme drejt heqjes së dënimit me vdekje.

El Anouni përsëriti se ndryshimi i regjimit nuk ishte pjesë e politikës së BE-së.

“Në terren ekziston një lëvizje e protestave legjitime dhe e vërtetë e popullit iranian, me aspirata legjitime për një jetë, liri dhe dinjitet më të mirë”, tha ai.

“Ne qëndrojmë pranë tyre ndërsa ata luftojnë për këto vlera”, shtoi El Anouni. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›