E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE bën thirrje për përmbajtje në Venezuelë, pas telefonatës Kallas-Rubio

BRUKSEL, 3 janar /ATSH-AFP/ – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, bëri thirrje për “përmbajtje” dhe ”respekt për të drejtën ndërkombëtare në Venezuelë”, pas njoftimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për “kapjen” e homologut të tij venezuelian, Nicolas Maduro.

Në rrjetin X, Kallas deklaroi se kishte folur në telefon me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, të cilit i përsëriti se ”BE-ja kundërshton legjitimitetin demokratik të Nicolas Maduros”.

Megjithatë, “në të gjitha rrethanat, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, shkroi ajo.

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi sot se SHBA kishte kryer sulme ajrore në territorin venezuelian dhe tha se udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro ishte kapur.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me gruan e tij, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga vendi”, shkroi ai në llogarinë e tij Truth Social.

“Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së dhe detajet do të pasojnë më vonë gjatë ditës”, shkroi ai.

Qeveria venezueliane më parë akuzoi Shtetet e Bashkuara për “agresion ushtarak jashtëzakonisht serioz” pasi u raportuan shpërthime në kryeqytetin Karakas.

Imazhet e publikuara nga stacioni televiziv venezuelian NTN24 treguan shpërthime dhe re tymi.

SHBA-të kanë rritur fushatën e tyre ushtarake në muajt e fundit kundër kontrabandës së dyshuar të drogës të lidhur me Venezuelën, duke përfshirë edhe synimin e një porti.

Maduro më parë kishte akuzuar administratën Trump se po përpiqej të detyronte ndryshimin e regjimit në Karakas./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›