BRUKSEL – BE do të diskutojë planin për ndalimin e bisedimeve politike në Izrael

BRUKSEL, 18 nëntor /ATSH-DPA/- Diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të propozojë pezullimin e dialogut politik me Izraelin për luftën e tij në Rripin e Gazës në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së sot në Bruksel.
“Masa vjen pas një viti thirrjesh të padëgjuara nga autoritetet izraelite në lidhje me respektimin e ligjit ndërkombëtar në luftën e Gazës”, shkroi Borrell në një deklaratë përpara takimit.
Përveç kësaj, Borrell kërkon që të ndalohet importi i produkteve nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze, të cilat janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha në tetor se donte të drejtonte një debat mbi sjelljen e Izraelit në konfliktet në Gazë dhe Liban në takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm.
Dialogu politik me Izraelin rregullohet nga Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael që hyri në fuqi në vitin 2000, e cila parashikon shkëmbime të rregullta për të forcuar partneritetin.
Ai gjithashtu thekson se marrëdhëniet ndërmjet palëve bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.
Spanja dhe Irlanda sugjeruan disa muaj më parë që marrëveshja e partneritetit të BE-së me Izraelin të shqyrtohej.
Marrëveshja mbulon jo vetëm dialogun politik, por edhe bashkëpunimin ekonomik në fusha të tilla si industria, energjia, transporti dhe turizmi.
Diplomatët e BE-së kanë theksuar se pezullimi i dialogut politik institucional nuk do të thotë pezullim i marrëveshjes së asociimit të BE-së me Izraelin.
Masa gjithashtu nuk synon të pezullojë Këshillin e Asociimit, të cilin krijoi marrëveshja BE-Izrael, dhe që është organi kryesor që trajton marrëdhëniet midis dy palëve.
Nëse propozimi miratohet, diplomatët thanë se mosmarrëveshjet mund të diskutohen në Këshillin e Asociimit me Izraelin.
“Bashkimi Evropian i ka kërkuar Izraelit disa kohë më parë një takim të Këshillit të Asociimit për të diskutuar situatën në Rripin e Gazës dhe akuzat kundër Izraelit”, thanë diplomatët.
“Megjithatë, pas disa muajsh, nuk është arritur asnjë marrëveshje me qeverinë izraelite”, thanë ata.
Një vendim për të pezulluar dialogun politik kërkon unanimitet, i cili konsiderohet i pamundur.
Gjermania ka kundërshtuar tashmë, ndërsa Hungaria, Austria dhe Republika Çeke kanë qëndruar deri më tani në anën e Izraelit.
Megjithatë, zyrtarët e BE-së theksojnë se nga këndvështrimi i Borrell, edhe një diskutim midis vendeve anëtare mund të përfaqësojë një sinjal të rëndësishëm politik.
Zyrtarët e BE-së thanë gjithashtu se diskutimi për sanksionet ndaj importit të produkteve nga vendbanimet izraelite i dërgon një mesazh të qartë politik Izraelit.
Nisma në lidhje me Izraelin mund të jetë lëvizja e fundit e madhe diplomatike e Borrell përpara se të largohet nga zyra e përfaqësuesit të jashtëm të BE-së.//a.i/