E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE kërcënon me sanksione kandidaten për anëtarësim, Gjeorgjinë

BRUKSEL, 15 korrik /ATSH-DPA/ – BE ka kërcënuar Gjeorgjinë, një vend kandidat për anëtarësim, me sanksione për shkelje të vlerave thelbësore evropiane.

“Shkelja e vlerave demokratike nga Gjeorgjia nuk do të kalojë pa pasoja”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas – pas një takimi të ministrave të Jashtëm të bllokut në Bruksel.

“Ata kanë kushte të caktuara që duhet t’i përmbushin”, u tha ajo gazetarëve të martën.

Një masë e mundshme do të ishte pezullimi i udhëtimit pa viza ose i marrëveshjes aktuale të partneritetit BE-Gjeorgji.

Kallas i kërkoi qeverisë gjeorgjiane të bënte ndryshime deri në fund të gushtit.

Këto ndryshime përfshijnë mbrojtjen e lirisë së tubimit dhe shprehjes, respektimin e të drejtës së privatësisë dhe respektimin e ligjeve kundër diskriminimit.

Kallas deklaroi se BE nuk kërkon të dëmtojë popullsinë gjeorgjiane, por theksoi se besueshmëria e Bashkimit Evropian është gjithashtu në rrezik.

Kritika i drejtohet kryesisht partisë aktuale në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, e cila është akuzuar për kufizime ndaj medias së pavarur dhe organizatave joqeveritare.

Bruksel gjithashtu ka shqetësime se Gjeorgjia po ndikohet nga Rusia.

Në përgjigje të zhvillimeve, BE-ja e ka ngrirë procesin e pranimit të Gjeorgjisë në bllok, vitin e kaluar.

Vendit me 3,7 milionë banorë iu dha statusi i kandidatit në fund të vitit 2023 – pasi aplikoi për anëtarësim në BE – menjëherë pas pushtimit rus në Ukrainë – në shkurt të vitit 2022.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›