BRUKSEL – Kroacia paraqet tetë kërkesa për Malin e Zi përpara anëtarësimit në BE

BRUKSEL, 15 tetor /ATSH/- Kroacia u ka paraqitur vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument me tetë kërkesa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura me Malin e Zi, duke i cilësuar ato si çështje që duhet të marrin përgjigje përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit, raportoi “Euronews”.
Dokumenti përfshin çështje që lidhen me pasojat e luftërave në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990, krimet e luftës, personat e zhdukur, pronat, si dhe mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve.
Tetë kërkesat e Kroacisë
Kroacia kërkon dëmshpërblim për rreth 300 shtetas kroatë që u mbajtën dhe u keqtrajtuan në kampin e të ndaluarve të Morinjit, në Mal të Zi, nga tetori 1991 deri në gusht 1992.
Zagrebi kërkon gjithashtu, që pllaka përkujtimore në vendin ku ndodhej kampi të mbetet përgjithmonë e dukshme.
Pllaka është rrethuar nga një strukturë metalike pas protestave të grupeve nacionaliste malazeze.
Një tjetër kërkesë lidhet me ndryshimin e emrit të pishinës në qytetin e Kotorrit, e cila mban emrin e ish-lojtarit të vaterpolit Zoran Gopçeviç.
Sipas palës kroate, ai kishte shërbyer si roje në kampin e Morinjit gjatë viteve 1991–1992.
Kroacia kërkon gjithashtu bashkëpunimin e autoriteteve malazeze, për të zbardhur fatin e 14 shtetasve kroatë që rezultojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1990, përmes shkëmbimit të informacionit dhe qasjes në arkiva.
Një tjetër kërkesë lidhet me ndjekjen penale të krimeve të luftës, përfshirë përgjegjësinë e eprorëve për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Zagrebi kërkon që kjo përgjegjësi të shqyrtohet edhe në rastet e personave të dënuar për krime të lidhura me kampin e Morinjit.
Kroacia kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pronësore që prekin familjet kroate në Mal të Zi, përfshirë 51 familje nga Tivati dhe familje të tjera në zonën e Gjirit të Kotorrit.
Sipas Zagrebit, disa prej këtyre çështjeve kanë mbetur pezull për një kohë të gjatë, pavarësisht procedurave gjyqësore.
Dy kërkesat e fundit lidhen me kthimin e anijes shkollore “Jadran”, të cilën Kroacia e konsideron pronë të saj në bazë të marrëveshjeve për trashëgiminë e ish-Jugosllavisë, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kufirin tokësor dhe detar mes dy vendeve.
Mosmarrëveshjet rrezikojnë objektivin e anëtarësimit në vitin 2028
Mali i Zi është ndër vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe synon të bëhet anëtari i 28-të i bllokut në vitin 2028.
Më 12 tetor, Podgorica kishte mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt e negociatave, pasi përfundoi negociatat për tre kapituj të tjerë, që lidhen me politikën ekonomike dhe monetare, statistikat, si dhe politikën sociale dhe punësimin.
Megjithatë, Kroacia po pengon përparimin e Malit të Zi në katër fusha të tjera: transportin, politikën e jashtme, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Meqenëse anëtarësimi i një vendi të ri në BE kërkon miratimin e të gjitha shteteve anëtare, kundërshtimi i Zagrebit mund të ngadalësojë negociatat dhe të vështirësojë realizimin e objektivit të Podgoricës për anëtarësim në vitin 2028.
Kroacia argumenton se zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura është e nevojshme për të siguruar mbështetjen publike, politike dhe parlamentare në vend për anëtarësimin e Malit të Zi, përfshirë ratifikimin e traktatit të anëtarësimit.
Nga ana tjetër, përfaqësues të BE-së kanë paralajmëruar kundër shndërrimit të procesit të zgjerimit në një instrument për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka kërkuar që procesi i zgjerimit të mos kushtëzohet nga mosmarrëveshjet mes vendeve kandidate dhe shteteve anëtare.
Përplasja mes Zagrebit dhe Podgoricës nxjerr në pah vështirësitë që konfliktet e pazgjidhura historike mund të krijojnë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, në një kohë kur Mali i Zi synon të përfundojë negociatat dhe të bëhet pjesë e bllokut deri në vitin 2028. //a.i/