BRUKSEL – Von der Leyen: Mbështes propozimin për armëpushim të plotë dhe pa kushte Rusi-Ukrainë

BRUKSEL, 10 maj /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka vlerësuar një propozim për një “armëpushim të plotë dhe pa kushte 30-ditor” në Ukrainë, ndërsa udhëheqësit evropianë u takuan në Kiev.
“Topi tani është në fushën e Rusisë”, tha sot Von der Leyen në Bruksel.
“Ne jemi të gatshëm të mbajmë presion të fortë mbi Rusinë dhe të vendosim sanksione të mëtejshme të ashpra në rast të shkeljes së armëpushimit”, shtoi ajo.
Këto komente bëhen, ndërsa ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha tha se Kievi është gati për një armëpushim pa kushte nga e hëna dhe ndërsa intensifikohen thirrjet për Rusinë që të ndalojë luftimet dhe të ulet në tryezën e bisedimeve.
Presidenti i Këshillit Evropian António Costa shtoi në një postim në X se “nga Zelanda e Re dhe Australia në Kanada, së bashku me kombet evropiane, një Koalicion i të Gatshmëve është bashkuar për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë veten dhe të ndjekë paqen”.
“Ne e mbështesim fuqimisht propozimin e pakushtëzuar 30-ditor të SHBA-së dhe Ukrainës për armëpushim, i cili mund të hapë rrugën për bisedime kuptimplote paqeje”, shtoi ai./ a.jor.