E Premte, 6 Nëntor 2026

BULLGARI - Yotova zgjedh kreun e BTA-së Kiril Valchev si kandidat për zëvendëspresident - ATSH -

SOFJE, 2 nëntor /ATSH Presidentja e Bullgarisë, Iliyana Yotova, ka prezantuar Kiril Valchev, drejtorin e Agjencisë Bullgare të Lajmeve (BTA), si kandidat për postin e zëvendëspresidentit në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në tetor, shkruan bnnews,es.

Yotova e bëri publik vendimin përpara gazetarëve, para nisjes së koncertit në sallën “Bullgaria”, me rastin e hapjes së sezonit të ri të Filarmonisë së Sofjes.

Duke prezantuar kandidatin e saj, presidentja e cilësoi Valchev si një jurist, njeri të fjalës dhe të së drejtës, si dhe një figurë publike me përvojë.

Ajo theksoi se zëvendëspresidenti duhet të ketë njohuri të thella mbi ligjet dhe mënyrën se si funksionon shteti bullgar.

Sipas saj, ajo dhe Valchev kanë bashkëpunuar prej shumë vitesh për ruajtjen e shpirtit bullgar, zhvillimin e identitetit kombëtar, si dhe promovimin e gjuhës dhe shkrimit bullgar.

Yotova nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet bullgare jashtë vendit, me synim ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë së tyre kulturore.

Nga ana e tij, Kiril Valchev deklaroi se nuk kishte synuar më parë të kandidonte për postin e zëvendëspresidentit, por e pranoi ftesën e Yotovës si një vlerësim për Agjencinë Bullgare të Lajmeve dhe rolin e saj në forcimin e komunikimit mes bullgarëve në mbarë botën.

Ai e cilësoi BTA-në si një institucion që promovon konsensusin, kujtesën kombëtare dhe komunikimin mes komuniteteve bullgare, duke theksuar se pikërisht konsensusi është një nga elementet më të rëndësishme që i nevojitet presidencës së vendit.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›