E Martë, 3 Nëntor 2026

“Bajden tenton të ulet në karrigen imagjinare”, video e redaktuar që shkaktoi konfuzion

Një video e Presidentit Xho Bajden (Joe Biden) në një ceremoni në Francë, është manipuluar dhe është hedhur në rrjetet sociale me pretendimin e rremë se ajo tregon se ai po ulet në një karrige imagjinare.

Videoja origjinale, ku karrigia pas zotit Bajden në pjesën më të madhe duket qartë, në variantin e redaktuar të qarkulluar është prerë përpara se presidenti të ulet.

Pamjet e plota të ceremonisë tregojnë se presidenti shikon pas tek karrigia dhe ndalet pak para se të ulet.

Përdorues të mediave sociale shpërndanë videon e shkurtuar për t’i bërë jehonë një linje të vazhdueshme interpretimi se presidenti Biden është i dobët dhe pa energji.

Në video, Bajden dhe presidenti francez Emmanuel Makron shtrëngojnë duart ndërsa qëndrojnë mes zonjave të para Jill Biden dhe Brigitte Macron.

Presidenti më pas shikon për një moment mbi shpatullën e tij të majtë, përkulet dhe rri gati për t’u ulur ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin paraqitet si folësi i radhës.

Por videoja e përhapur në internet ndërpritet menjëherë përpara se zoti Biden të zërë vend.

Në pamjet e plota të ceremonisë, presidenti hedh një vështrim në karrigen e tij, përkulet, ndalon ndërsa fillon prezantimi i zotit Austin dhe më pas ulet në të njëjtën kohë me zotin Macron, gratë e tyre dhe njerëzit e ulur pas tyre.

Karrigia e Biden është e dukshme gjatë gjithë videos, megjithëse në disa pjesë është pak më në errësirë.

Presidenti Bajden po merrte pjesë në nderimet me rastin e 80 vjetorit të Ditës të Zbarkimit të Aleatëve për të çliruar Francën nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›