E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla: E turpshme përpjekja e opozitës për të bërë pis imazhin e Shqipërisë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla i kërkoi sot opozitës të heqë dorë nga “nxirja” e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare, siç iu referua ai rastit të fundit, kur kreu i PD-së, Berisha, denoncoi Shqipërinë tek eurodeputetët, duke kërkuar edhe bllokimin e negociatave.

Balla replikoi në sallën e Kuvendit me deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili foli për zgjedhjet e 11 majit, duke risjellë në vëmendje disa nga pikat e rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë.

“Hiqni dorë nga ai turpi i madh, se do të vazhdoni të zhyteni edhe më shumë. A e keni kuptuar? Vota e shqiptarëve dhe mbi të gjitha e diasporës ishte një vlerësim për punën e Edi Ramës në qeverisje dhe një ndëshkim për sjelljen tuaj ndaj Shqipërisë gjithë këto vite. Del një që paguhet me taksat e shqiptarëve, deputet i Kuvendit, dhe shkon atje duke bërtitur: ‘Narko-shteti, narko-shteti’! Duhet t’ju vijë turp, sepse ky vend është i përbashkët, dhe shqiptarët për budallenj nuk i bëni dot”, iu drejtua Balla Nokës.

Po ashtu, Balla vlerësoi se opozita ka një rol të pazëvendësueshëm në procesin e integrimit europian të vendit.

“Keni mundësinë e artë që, duke reflektuar mbi gjithë sjelljen që keni pasur në 12 vitet e fundit, të paktën nga shtatori e tutje, të ulemi dhe të punojmë së bashku për këtë moment historik. Opozita ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces dhe i duhet patjetër të reflektojë për t’u bërë pjesë e tij”, shtoi ai.

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se raportuesi Andreas Schieder, në një fjali të vetme, e quajti Shqipërinë me krenari vendin e parë që vrapon për t’u bërë anëtar i BE-së.

/m.m/r.e/a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›