E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Mazhoranca do të votojë hartën e re territoriale, bashki më konkurruese dhe më shumë fonde nga BE

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të përfshihet në diskutimet për reformën administrative-territoriale dhe të paraqesë propozimet e saj në Komisionin e Ligjeve.

Gjatë një komunikimi me gazetarët pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Balla tha se procesi parlamentar duhet të vijojë sipas kalendarit të përcaktuar nga Kuvendi, ndërsa palët kanë ende mundësi të kontribuojnë gjatë shqyrtimit të projektligjit.

Duke folur për ecurinë e reformës administrative-territoriale, Balla bëri të ditur se projektligji po vijon shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve, ndërsa synimi është që procesi të përmbyllet në kohë për votimin e parashikuar në seancën plenare të datës 8.

Në këtë kuadër, ai i bëri thirrje Partisë Demokratike që të marrë pjesë në diskutimet parlamentare dhe, nëse ka propozime konkrete për hartën e re territoriale, t’i depozitojë ato në Komisionin e Ligjeve.

“Thirrja ime për grupin e PD është që të marrë pjesë në diskutime në Komisionin e Ligjeve. Nëse kanë propozime, t’i depozitojnë në Komisionin e Ligjeve, janë ende në kohë”, deklaroi Balla.

Sipas tij, opozita ka mundësi që gjatë shqyrtimit nen për nen të paraqesë propozimet e saj, ndërsa një projektligj i ri do të kërkonte respektimin e procedurave të konsultimit të parashikuara për çështjet e vetëqeverisjes vendore.

Balla theksoi gjithashtu se procesi duhet të zhvillohet duke respektuar procedurat parlamentare dhe kushtetuese, në mënyrë që reforma të mos krijojë hapësira për kontestime të mëvonshme procedurale.

Duke iu përgjigjur pretendimeve për miratimin e njëanshëm të reformës, Balla kujtoi se Partia Demokratike nuk mori pjesë as në votimin e reformës administrative-territoriale të vitit 2014.

“Nëse duan të mungojnë përsëri, le të mungojnë. Por karvani duhet të shkojë përpara”, u shpreh Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së argumentoi se reforma synon krijimin e bashkive më të forta, me kapacitete më të mëdha financiare dhe administrative, të afta për të ofruar më shumë shërbime dhe investime për qytetarët.

Ai e lidhi reformën edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipërisë i nevojiten njësi vendore më të forta dhe më konkurruese për projektet që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në lidhje me shqetësimet për bashkimin e disa bashkive, Balla tha se vendimmarrje të tilla nuk janë të lehta dhe mund të prekin interesa lokale, por, sipas tij, synimi duhet të jetë përmirësimi i shërbimeve për komunitetet.

Sa i përket bashkimit Rrogozhinë-Kavajë, ai hodhi poshtë pretendimet për një motiv elektoral, duke argumentuar se të dyja bashkitë janë pjesë e Qarkut Tiranë dhe se bashkimi nuk ndryshon kontekstin elektoral në zgjedhjet qendrore.

Balla u ndal edhe te diskutimet brenda Grupit Parlamentar socialist, duke konfirmuar se deputetët kanë shprehur mendimet dhe shqetësimet e tyre gjatë mbledhjes së grupit. Ai theksoi se diskutimet e brendshme janë pjesë normale e procesit, ndërsa qëndrimi politik i grupit është në mbështetje të reformës.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›