E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla: Ngremë komisionet e posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, njoftoi se do të dërgojnë kërkesën për ngritjen e dy komisioneve të Posaçme: atë të Reformës Zgjedhore që PS do ia besojë bashkëkryesimin Damian Gjiknurit dhe Reformës Territoriale që do ia besojë Arbajn Maznikut.

Balla u bëri thirrje PD-së dhe grupeve të tjera parlamentare, që të kontribuojnë në mbushjen e vakancave në këto komisione, në mënyrë që të sigurohet një punë efikase dhe me konsensus të gjerë.  

Balla theksoi se rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it mbetet depolitizimi i komisioneve zgjedhore si dhe të rritet transparenca e financimit të fushatës zgjedhore dhe partive poltike.

“Rekomandimi bazë mbetet depolitizimi i komisioneve zgjedhore ku edhe në zgjedhjet e fundit formacione politike kontestuan punën e komisionerëve të tyre apo numëruesve të tyre duke vënë në dyshim cilësinë e punës së komisioneve. Kemi mbështetur ndër vite depolitizimin dhe kam theksuar se ndër çështjet që duhet të adresojë me urgjencë komisioni për reformën zgjedhore dhe transparenca e fushatave zgjedhore edhe partive politike. Çështja e dytë për të cilën që duhet të adresojë ky komision në ndërhyrjen që do të bëhet në kodin zgjedhorë duhet të kemi draftin gati edhe mbajtjen e zgjedhjeve për parlamentin evropian, pasi në pritshmëritë tona po afrohet momenti kur Shqipëria do të ketë anëtarët e vetë në PE”, tha Balla.

Po ashtu, Balla ka theksuar rëndësinë e reformës territoriale, e cila ka si qëllim një ndarje më efikase dhe të drejtë administrative. Kjo do të hapë mundësi për reforma të tjera në nivel lokal dhe përmirësim të menaxhimit të territorit.

Balla theksoi se ky është një moment kyç për të nisur këto diskutime, duke pasur parasysh se Shqipëria është në fazën e avancuar të negociatave me Bashkimin Evropian.

 “Komisioni i i reformës territoriale për t’i hapur rrugë reformave të reja sa i përket rolit dhe ndarjes administrative territoriale. Këto dy komisionet janë të rëndësishme për punën e Kuvendit dhe shpresoj që edhe grupi i PD dhe grupet e tjera parlamentare të  plotësojnë vakancat në këto komisione.

Ka plot çështje që duhen adresuar dhe jemi në një fazë përmbyllëse edhe të procesit të negociatave me BE dhe është kohën e duhur për ta bërë këtë diskutim”, tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›