Balla: Ramazani është muaj që na fton për reflektim dhe solidaritet

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë në darkën e iftarit në qytetin e Kavajës, me ftesë të deputetes së PS-së Ilva Gjuzi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla u shpreh se muaji i Ramazanit është një periudhë reflektimi, solidariteti dhe më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit.
“Ky muaj i bekuar i Ramazanit është një muaj që na fton për reflektim, solidaritet dhe më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit. Në Ramazan përpiqemi të kontrollojmë gjuhën dhe zemrën. Nëse gjuha gabon, shpresoj që zemra të na falet”, shkruan Balla.
Ai gjithashtu uroi besimtarët myslimanë për një iftar të begatë dhe një Ramazan të bekuar.
Iftaret gjatë muajit të Ramazanit organizohen në qytete të ndryshme si pjesë e traditës së bashkimit dhe solidaritetit mes besimtarëve.
/m.m/a.f/r.e/