E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla takim me zv.presidentin e Parlamentit të Landit të Bavarisë: Mirënjohje për mbështetjen për integrimin në BE

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi takim me zëvendëspresidentin e Parlamentit të Landit të Bavarisë, Markus Rinderspacher, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Bavari dhe perspektivat e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla nënvizon se mes Shqipërisë dhe Bavarisë ekziston marrëdhënie e veçantë në planin politik, ekonomik, arsimor, kulturor dhe historik.

Ai shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë dhe Parlamentit të Bavarisë për mbështetjen e fortë ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.

Balla u ndal edhe tek diaspora shqiptare në Bavari, ku jetojnë, punojnë e studiojnë shqiptarë.

“Në Bavari jetojnë e punojnë rreth 18 mijë shtetas shqiptarë. Ne vlerësojmë lehtësimin e mëtejshëm të procedurave për lejet e qëndrimit, punësimit. Gjithashtu në universitetet e Bavarisë studiojnë mbi 800 studentë shqiptarë”, nënvizoi Balla.

Gjithashtu Balla përmend edhe prezencën e kompanive bavareze në Shqipëri dhe rritjen e turistëve gjermanë nga ky rajon, duke i cilësuar si tregues pozitivë të thellimit të lidhjeve ekonomike.

Në përfundim Balla dhe Rinderspacher ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin parlamentar mes Shqipërisë dhe Bavarisë.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›