Balla takon të riun shqiptar: I lindur në Nju-Jork, është kthyer të kontribuojë në atdhe

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla mirëpriti sot Marko Çekajn, një i ri shqiptar që ka lindur në Nju-Jork (SHBA), ku është arsimuar për ekonomi.
Me një përvojë ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, Marko ka vendosur të kthehet në atdheun e tij për të vazhduar studimet dhe për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e vendit.
Gjatë takimit, Balla u shpreh se kthimi i të rinjve me eksperiencë ndërkombëtare për të investuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në Shqipëri është një mesazh i fortë për fuqizimin e potencialit të vendit dhe një model frymëzimi për brezat e rinj.
Marko shprehu dëshirën për të qenë pjesë aktive e proceseve zhvillimore dhe ekonomike në Shqipëri, duke kontribuar me idetë e tij dhe duke ndihmuar në projekte që synojnë përparimin e vendit.
Ministri Balla theksoi se, angazhimi i të rinjve të edukuar jashtë vendit është një vlerë e shtuar për Shqipërinë dhe një shembull që tregon se diaspora mund të japë një kontribut të rëndësishëm në Shqipërinë që synon të anëtarësohet në BE deri më 2030.
/gj.m/j.p/r.e/