E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: Industria ushtarake, një tjetër aferë me paratë e shqiptarëve

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu deklaroi sot në një dalje për mediet se qeveria po shet si “industri ushtarake shqiptare” prodhimin e 40 mjeteve taktike përmes partneritetit mes KAYO dhe “Timak Defence”.

Balliu theksoi se të dhënat e bilancit të kompanisë ngrenë pikëpyetje mbi kapacitetet e saj prodhuese.

Sipas tij, “Timak Defence” është krijuar në gusht 2025 dhe në fund të vitit kishte 14 punonjës, ndërsa aktivet afatgjata, që sipas tij përfshijnë makineri e pajisje, kapnin vetëm 146 mijë lekë.

“Me 1500 euro nuk ndërtohet një fabrikë automjetesh ushtarake”, deklaroi Balliu, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe favorizim të kompanisë.

Ai kërkoi publikimin e kontratave mes KAYO, “Timak Defence” dhe institucioneve shtetërore.

“Partia Demokratike kërkon publikimin e menjëhershëm të të gjitha kontratave të lidhura mes KAYO, Timak Defence dhe institucioneve shtetërore, si dhe transparencë të plotë mbi mënyrën e përzgjedhjes së kësaj kompanie, vlerën e kontratave dhe burimin e financimit”, tha Balliu.

Ai gjithashtu i bëri thirrje SPAK-ut të verifikojë mënyrën e dhënies së kontratave dhe çdo element që mund të përbëjë shkelje ligjore.

“Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë këtë skemë deri në fund, të verifikojë mënyrën e dhënies së kontratave, eliminimin e konkurrencës, përdorimin e shoqërisë publike KAYO dhe çdo element që mund të përbëjë shkelje të ligjit”, theksoi Balliu.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›