E Diel, 1 Nëntor 2026

“Balluku”, Gjykata Kushtetuese vendos Pro shqyrtimit të ankimimit të qeverisë

Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, ka kaluar për shqyrtimin ankimin e qeverisë kundër vendimit të GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Çfarë kërkon qeveria në Kushtetuese?

Kërkesa e Këshillit të Ministrave synon të zgjidhë mosmarrëveshjen e krijuar mes ekzekutivit dhe GJKKO-së lidhur me pezullimin nga detyra të Ballukut.

Kryeministri Edi Rama argumenton se vendimi i Gjykatës së Posaçme cenon imunitetin kushtetues të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e përcaktuara nga Kushtetuta.

Në reagimet e tij publike, Rama ka theksuar se ankimi në Gjykatën Kushtetuese është një çështje institucionale, jo politike duke bërë me dije se, vendimi për pezullimin e zv/kryeministres ka krijuar pasoja serioze në funksionimin e ekzekutivit, duke përmendur edhe pamundësinë për të zëvendësuar drejtues të institucioneve kyçe si ARRSH dhe KESH, për shkak se kompetenca për këto emërime i takon ministrit përkatës.

Balluku ka apeluar vendimin

Paralelisht, vetë zv.kryeministrja Belinda Balluku ka kundërshtuar vendimin.

Më 26 nëntor ajo apeloi ndalimin për të dalë jashtë vendit dhe pezullimin nga detyra, ndërsa më 2 dhjetor iu drejtua Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin e GJKKO-së.

Akuzat

Belinda Balluku u pezullua nga GJKKO më 20 nëntor ndërsa iu ndalua dhe e drejta për të dalë jashtë vendit.

Ajo është marrë e pandehur për procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim edhe për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

Tashmë pritet të vendoset se kur do të shqyrtohet ankimimi i qeverisë në Kushtetuese dhe cili do të jetë relatori i çështjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›