E Diel, 1 Nëntor 2026

Balluku në Bukuresht: Shqipëria, 10% të kapaciteteve të prodhimit nga energjia diellore. Do krijojmë një bosht energjetik mes 5 vendeve

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë të Ministrave të Energjisë të Europës Qendrore dhe Juglindore, i zhvilluar sot ( 27 tetor) në Bukuresht, takimi i drejtuar nga Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jorgensen, nën mikpritjen e qeverisë rumune dhe të ministrit të Energjisë së Rumanisë, Ivan.

Ministrat e vendeve pjesëmarrëse relatuan mbi situatën energjetike të rajoneve përkatëse, përgatitjet për dimrin 2025–2026, si dhe për sigurinë energjetike në kushtet e kërcënimeve që lidhen me përdorimin e gazit rus.

Në një prononcim për mediet, ministrja Balluku vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në fushën e energjisë, duke theksuar se për herë të parë 10% e prodhimit të brendshëm të energjisë vjen nga burime diellore, ndërsa 90% vijon të sigurohet nga hidrocentralet.

“Bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin, për herë të parë raporti 8-mujor për vitin 2025 tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore, duke e çuar raportin total të prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% energji diellore,” u shpreh Balluku.

Gjatë ditës, ministrja bëri të ditur se zhvilloi disa takime dypalëshe me kolegët e rajonit, si dhe me Komisionerin Jorgensen. Ajo veçon takimin me ministrin rumun të Energjisë, ku u diskutua krijimi i një boshti energjetik rajonal që do të përfshijë Shqipërinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Italinë.

“Bashkëpunimi i gjerë rajonal ka treguar se është dhe do të mbetet baza e një suksesi të garantuar për sigurinë energjetike europiane,” theksoi Balluku në prononcimin e saj për mediet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›