Banesat monumentale të Shkodrës- Ekspertët kërkojnë ndërhyrje, DRTK parashikon restaurime për vitin 2026

Shtëpitë karakteristike të Shkodrës, që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të qytetit, po përballen me degradim të vazhdueshëm.
Sipas arkitektit Zef Çuni këto janë monumente të kategorisë së parë dhe për këtë arsye kërkojnë një vëmendje të veçantë, pasi rrezikojnë të humbasin nëse nuk ndërhyhet në kohë.
“Diskutohet nëse duhet të kemi harta ose regjistrime të monumenteve të reja, kur nuk jemi në gjendje të mirëmbajmë ato që janë tashmë të shpallura monumente kulture, kategori e parë. Nevojitet një ndërhyrje më e madhe dhe një financim më i konsiderueshëm.” tha arkitekti Zef Çuni.
Nga ana tjetër, drejtori i DRTK Shkodër Helidon Sokoli pranon se ndërhyrjet në këto objekte përballen me jo pak sfida. Sipas tij, procesi kërkon një bashkërendim të ngushtë mes institucioneve dhe pronarëve të banesave, si dhe lehtësim të procedurave për miratimin e lejeve.
“Do të na ndihmonte shumë të kishim një bashkëpunim institucional, në mënyrë që të mos kemi pengesa për t’i restauruar”, tha Sokoli.
Megjithatë, për vitin 2026 DRTK Shkodër ka parashikuar ndërhyrje konkrete në disa prej banesave monumentale, si ato të familjes Lluja, Pashko Vasa dhe Hodo Sokoli, në përpjekje për të frenuar degradimin dhe për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/