Banorë të Rrjollit, Durrësit, Ballshit dhe Pogradecit protestë para Kuvendit

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Banorë nga fshati Rrjoll në Velipojë, por edhe banorë të Durrësit e disa zonave të tjera që përballen me problematika, protestuan sot para Kuvendit në mbrojtje të pronës.
Kjo është protesta e tretë që zhvillohet para Parlamentit, pasi u thirr fillimisht nga banorët e Rrjollit të Velipojës, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në Baks Rrjoll.
Ndërkaq, banorë të Zall Gjoçajt, të Gurasit të Pogradecit, të Gjoricës dhe të Kurdarit të Dibrës ishin të pranishëm në protestë kundër ligjit të shpronësimeve.
Banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, u shpreh për mediet se kanë dorëzuar në Parlament kërkesë për seancë dëgjimore për problematikën e Rrjollit, duke kërkuar që deputetët të marrin kohë dhe të dëgjojnë shqetësimin e banorëve.
“Nuk duhet të vijnë te ne vetëm kur është koha e votave, por edhe kur ne kemi nevojë”, tha ajo.
Prej dy muajsh banorët po protestojnë kundër ndërtimit të resortit, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
Një aktiviste u shpreh se kjo është hera e tretë që protestohet për problematikat e pronës.
“Parlamenti ka në dorë të bëjë apo të zhbëjë ligje. Një nga ligjet më të tmerrshme është ligji për shpronësimin për interes publik. Ky ligj ka disa nene që shpronëson privatin për t’ia dhënë privatit. Ky është një ligj që duhet zhbërë nga ky Parlament”, tha ajo.
Sipas saj, të gjitha projektet bëhen në mungesë transparence.
Edhe banorët e Durrësit kundërshtuan projektin TID, duke kërkuar që vendimmarrja për projektin të jetë gjithëpërfshirëse dhe të garantojë trajtim të drejtë për çdo familje të prekur.
/k.s/r.e/j.p/