E Martë, 3 Nëntor 2026

Barazimi me Letoninë, Duka: Asgjë nuk ka mbaruar, duhet reagim i menjëhershëm

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Shqipëria mori një pikë pas rezultatit të ndeshjes së mbrëmshme, përballë skuadrës së Letonisë, e vlefshme për grupin “K” të eliminatoreve të botërorit të vitit 2026.

Presidenti i Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armand Duka reagoi në një postim në rrjetet sociale, duke u shprehur se tashmë Shqipëria ka mbërritur në gjysmën e rrugës, ndërsa janë edhe katër sfida të tjera për të luajtur ku do të tentohet gjithçka.

Reagimi i plotë:

Ndeshja në Letoni nuk ishte ajo që do donim të shihnim, apo rezultati që do duhej të merrnim. Gabuam në disa raste dhe kundërshtari shfrytëzoi gabimet tona. Dalim me vetëm një pikë nga kjo ndeshje, teksa duhet t’i merrnim te treja.

Kemi bërë gjysmën e ndeshjeve eliminatore dhe gjysma tjetër e mbetur na imponon të jemi me mendësi e energji krejt të tjera.

Kuptoj dhe mirëkuptoj sensitivitetin e çdokujt për ekipin tonë kombëtar dhe mbarëvajtjen e tij.

Nuk arritëm të merrnim fitoren, por gara vazhdon, kemi ende dhe një gjysme rruge përpara. Asgjë nuk është mbyllur dhe asgjë nuk ka mbaruar për asnjë nga rivalët tanë. Natyrisht, ne na duhet të rikthehemi në shtator më të kthjellët dhe më me uri e grintë për të marrë maksimalen e për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku askush tani nuk mund ta mendoje.

Dhe për të arritur këtu stafi teknik duhet t’i nënshtrohet një analize bazike siç edhe përherë bën, por që këtë radhë kam bindjen që do të prodhoje një reagim të menjëhershëm.

Luajtëm 4 sfida, kemi edhe 4 të tjera. Njohim forcën e rivalëve sikundër edhe ata njohin mirë peshën dhe rrezikun tonë. Do të luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset e mundësitë tona që ende i kemi në këmbët tona!

A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli!

A kemi gabime në lojë që kërkojnë të analizohen me qetësi e maturi. Patjetër. Si çdo ekip tjetër. Ne do të vazhdojmë fort dhe me besim garën tonë ende të hapur.

Sepse, Ne jemi Shqipëria!

Do të provojmë e sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi!

Rikthehemi në shtator!

/e.i/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›